Fjalët akuzë të presidentit të Kamzës, Naim Qarri kundër Armand Dukës janë bërë “hit”, madje ato janë shndërruar edhe në zile telefoni, jo vetëm për delegatet e Superligës, por edhe per presidentet. Poezia e fundit e Naimit ( jo atij te letrave) është mëse origjinale dhe zbulon se dashuritë me Dukën shumë shpejt kthehen në armiqësi, pa harruar se ka edhe “armiqësi”, që falë nevojës, trukohet në ..dashuri. Po bie zilja ? Ngrini telefonin se është Qarri i Kamzës. Do thote ca fjalë të rralla për ‘mbretin” , që ndihet me shume mbret vetëm kur djallos lojen sipas stilit te tij…
“ Kush është Armando. ore? Ça është Armando? Ca është ai, një copë ordiner që tallet me gjakun tim, me djersën time. Për ça vini ju këtu se s’po e kuptoj. Nuk ka sherr në Korçë ore, nuk të vret njeri në Korçë. Këtu vihet luhet futboll normal dhe ikin të gjithë. Për ça vjen federata këtu, vjen për të mbajtur drejt ndeshjen apo me hile. Hajde me Kukësin me hile, hajde atje me hile. Është turp i madh ore dhe pastaj thoni na shau ky, na shau ai…”
Sikur t’i bashkonim bashkë të gjitha akuzat që kanë thënë, në kohë të ndryshme, presidentët e futbollit, atëhere “mbreti i keq”, ose Armandi i 5-te, sipas mandateve, do ta kishte vënë vete kokën në gijotinë, pa patur nevojë për revoltën e popullit të rraskapitur nga genjeshtrat. Është e vërtetë se koka jonë e futbollit është shplarë më keq se çdo kokë në sportet e tjera, por amnezia nuk shkon deri aty sa të harrojmë “bombën” e klubit kampion të Kukësit, vetem pak javë më pare, kundër “mbretit” Duka dhe çunave të prapë te oborrit, që kurdisin arbitrat për të futur shejtanin ne lojë. Një sezon më parë ishin kampionët e tjerë, ata të Skënderbeut, që me zërin e presidentit Takaj patën shembur “kullat binjake” të besimit me FSHF-në dhe zotit te saj, kur ia plasi “ më vjen turp që jam pjesë e këtij futbolli”.
Nëse do të zhytesh me kokë në arkivin e deklaratave më të ndezura kundër Intitucionit që degradon i lumtur, të gjitha klubet kanë bërë “revolucionin ” e tyre. Rebelojnë secili më vete, sepse kështu i bëjnë mirë edhe sistemit, edhe vetes tyre, duke shfryrë zemërimin e mbledhur nga ky dreq futbolli i molepsur . Kjo e fundit e Qarrit, edhe pse jemi në tokën që ushqehet dhe vaditet me harresë të pamatë kolektive, do të kujtohet disi më ndryshe. Sidomos kjo “zilja e mëngjesit” që na e fali Qarri: Kush është Armando ore, ça është Armando, një copë ordiner…
Sfidanti.al