E pyetën një ditë në ekran sulmuesen e Vllaznisë dhe të Kombëtares, Megi Doçi, sa gola mund të ketë shënuar në karierë. Përgjigja ishte më shumë se befasuese : “ Afro 700 gola!” Dhe në një habitat futbolli,ku nuk ka arkiva të rregullta, janë vetë sportistët që mirëmbajnë “magazinën” e tyre.
Shumë vite më parë, e ka treguar vetë Ilir Pernaska, një histori që lidhet me rivalitetin e sulmuesve, me golat e tyre që janë “vjedhur” nga arkiva dhe nuk dihet ku janë futur! .Kur janë takuar një herë Ilir Pernaska dhe Din Zhega, ish-sulmuesi shkodran dhe ish-trajner i Kombëtares, dialogu i tyre është gdhëndur në kujtesë dhe gjëndet në “muzeun e mëkateve”..
Zhega i ka thënë Pernaskës: “ O Pernaske , a e di ti se në filan sezon kur ti u shpalle kampion i golit, unë kam shënuar më shumë gola se ty!?”
Ky dialog është i moçëm, më shumë se 50 vite, por mbetet i freskët sepse golat edhe sot nuk janë pronë e përbashkët, nuk janë e bardha në të zezë, por janë “vjedhur”.
Pse vallë, vidhen edhe golat? Megi Doçi, disa ditë më parë në “Procesin Sportiv” akuzoi presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima se kishte bërë “magji të zezë” me golat në futbollin e femrave, për të shpallur si golashënuese të sezonit një lojtare të Apolonisë…
Sfidanti.al