Zllatan mendon për Junajtidin, por Milani ka ethet “Ibra”!

Në moshën 35 (shpejt 36) vjeç, mbetet një nga lojtarët më të kërkuar në botë. Nuk ka “oksidim” për Zllatan Ibrahimoviçin, pasi një duel interesant pritet të zhvillohet për të. Vetë sulmuesi suedez besohet se dëshiron të vazhdojë edhe një sezon tjetër për Mançester Junajtidin, dhe mediat britanike njoftojnë se po bisedon për një kontratë të re.

Gjithsesi, këmba e dëmtuar rëndë nuk e ka larguar nga moda dhe një dashuri e tij e vjetër, Milani, e dëshiron sërisht. Pavarësisht se Adriano Galiani nuk është më, drejtuesit e rinj kuqezinj duan të vazhdojnë aty ku e la “Don Silvio”. Ëndrra e tyre, apo “ethet Ibra”, siç raportojnë mediat në Itali, është që Zllatan të rikthehet në “San Siro”, dhe po ashtu Milani të marrë edhe sulmuesin e Fiorentinës, Nikola Kaliniç.

Deri tani, asnjë nga këto plane nuk është realizuar, por pronarët kinezë nuk heqin dorë nga synimi për ta kënaqur plotësisht trajneri Vinçenco Montela, për të cilin kanë shpenzuar deri tani 170 milionë euro dhe kanë sjellë në skuadër 10 lojtarë të rinj, mes të cilëve edhe Leonardo Bonuçin.

Sfidanti.al