Zidani e mendon titullim, por ç’dhimbje koke nga dëmtimet e Realit!

Nuk është vetëm Liverpuli i goditur rëndë nga problemet fizike në prapapikë. Në Europë është një tjetër gjigand, madje më i madhi nga të gjithë, Reali i Madridit, që po numëron “plagët” e marra në mbrojtje. Lojtari i krahut të djathtë, Karvahal, ishte “viktima” e fundit që u lëndua në ndeshjen e La Ligës ndaj Valencias në “Valdebebas”. Futbollisti i kombëtares iu shtua listës së mungesave që përfshin kapitenin Sergio Ramos, mbrojtësit të majtë Marselo, Alvaro Odriozola (mbrojtësi tjetër i djathtë) dhe qendërmbrojtësi Eder Militao, ndërsa jashtë shërbimi janë lojtarët e sulmit, Hazar e Rodrigo dhe mesfushori Valverde.

“Unë nuk arrij ta kuptoj se përse kemi kaq shumë dëmtime, – tha trajneri Zinedin Zidan pas fitores 2-0, – jam shumë i shqetësuar për këtë. Më vjen keq për Karvahalin, është gjithnjë problem kur humbet një lojtar”. Gjithsesi, Zidan mendon se Reali ka shanse për të fituar titullin në Spanjë edhe pse është 5 pikë prapa Atletikos, që ka edhe dy ndeshje për të luajtur. “Do të vazhdojmë të bëjmë këtë që po bëjmë, – tha ai, – jemi në një seri të mirë, besojmë tek vetja. Po luajmë mirë edhe në mbrojtje”. Gazeta “AS” shkruan se Reali ka pësuar vetëm 1 gjuajtje në portë në 2 ndeshjet e fundit.

Sfidanti.al