Zidan pranë legjendave: Do të përpiqemi të luajmë edhe më mirë

Gjashtë trofe në dy vjet janë shumë, dhe njeriu që i ka fituar i vlerëson mjaft, veçse kërkon edhe më tepër. i tillë është Zinedin Zidan, një djalë me origjinë nga Afrika e Veriut, që po bën një tjetër histori të madhe futbolli. Legjendë si lojtar, pak më shumë po bëhet si trajner, ndërsa modestia e tij natyrale thjesht e bën edhe më të lavdishëm. “Një ekip ecën përpara me punë, – tha ai pas finales së Superkupës së Europës, – e di se kemi shumë talent, dhe që po të punojmë mirë, mund të arrijmë gjëra të mëdha”.

Zidan sot është i katërti trajner më i suksesshëm i Realit në gjithë historinë, duke pasur po aq trofe sa Leo Benhaker (6), veçse edhe më të rëndësishme: 1 titull, 2 Champions, 2 Superkupa të Europës, 1 Kupë të Botës për klubet (holandezi fitoi 3 tituj, 1 Kupë të Mbretit, 2 Superkupa të Spanjës). Përpara francezit qendrojnë legjenda Migel Munjoz me 14 tituj, Luis Molovni me 8 dhe Visente Del Boske me 7.

“Nuk e di nëse mund të luajmë më mirë se kaq, por do ta provojmë, – vazhdoi trajneri, – kemi përballë rivalë të fortë, të vështirë, dhe të dielën do të kemi një tjetër. E vetmja gjë që mund të bëjmë ëshët që të përgatitemi mirë dhe të japim maksimumin. Ne duam që të jemi çdo herë e më të mirë”. Të dielën, Reali luan në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës, ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës.

Sfidanti.al