Zidan flet për Realin, Juventusin, Dibalën dhe finalen!

Në 1998, Zinedin Zidan pati ëndrrën që të fitonte Ligën e Kampionëve. Ylli i madh francez, i ardhur dy vjet më parë nga Bordoja, bënte pjesë tek skuadra favorite, ajo e Juventusit, por që humbi në Amsterdam ndaj Realit të Madridit. Një gol i Predrag Mijatoviçit vendosi sfidën, dhe Zizu u mërzit jo pak, ndonëse pak javë më vonë u shpall kampion i botës me Francën e Aime Zhakesë.

Sot, Zinedin Zidan është përpara një tjetër finaleje Championsi, këtë herë si trajner, dhe skuadra ku ai bën pjesë, Reali, është favorite ndaj ish-ekipit të tij, Juventusit. Çfarë do të ndodhë të shtunën në stadiumin “Milenium” të Kardifit? “Nuk jam dakord që ne jemi favoritë, – thotë francezi, – në finale, shanset janë 50 me 50. Nuk jam gjithashtu dakord kur cilësojnë se ne sulmojmë më mirë, por Juvja mbron më mirë. Bëhet fjalë për dy skuadra të mëdha, më të mirat e Championsit që kanë arritur deri këtu me meritë”.

Me Juventusin luajti 5 vjet, por nuk arriti të fitonte aq shumë, ndërsa tek Reali ia doli të merrte Championsin, edhe pse edhe aty nuk fitoi pa fund. Gjithsesi, Zizu e quan Madridin si klubin e tij të zemrës, ndonëse finalen e quan si të veçantë. Duke folur për zgjedhjet e tij, nuk tregon ndonjë gjë (Bejl apo Isko, mbrojtje me 3 apo me 4). Nga juventinët, më i rrezikshmi i duket Dibala.

Sfidanti.al