Nga Porto u largua pa dashuri. Kush nuk e mban mend skenën kur Zhoze Murinjo refuzoi të prekte trofeun e Championsit të fituar nga portugezët në 2004, në finalen ndaj Monakos. Ai e kishte vendosur të shkonte tek Çelsi dhe ashtu bëri, ndonëse nuk u kuptua mirë përse iku duke përplasur derën nga klubi që e ndihmoi të bëhej i shquar.
Në 2007 skena thuajse u përsërit në “Stemford Brixh”, por këtë herë me antipati të ndërsjelltë me presidentin Roman Abramoviç dhe, besohet, me kapitenin Xhon Terri. Pasi fitoi dy tituj të Premier Ligës, dy Kupa të Ligës dhe një Kupë të Anglisë, Zhoze mbylli derën pas vetes duke hequr ngjyrat “blu” për të veshur pak muaj më vonë, ato “zikaltër”.
Nga Interi largimi nuk ishte aspak me urrejtje, madje pati një ndarje shumë emocionale me presidentin e shkëlqyer edhe pse tepër sentimental, Masimo Morati. Ka mundësi që Zhoze të kthehet sërish në Itali, në klubin që luan në stadiumin “San Siro”.
Shumë e vështirë marrëdhënia në “Santiago Bernabeu”, qoftë me presidentin karizmatik, Florentino Perez, por sidomos me dy “gjelat” e skuadrës, Sergio Ramos e Kristiano Ronaldo. Janë legjendarë sherret mes tyre, ndërsa në 2013, Murinjo iku edhe nga Madridi ku fitoi një titull kampion, një Kupë të Mbretit, dhe vendosi rekordin e pikëve dhe të golave në fitimin e titullit në 2012 (rekordin e pikëve ia barazoi Barcelona e Vilanovës në 2013).
Anglia nuk ishte aq e dashur, sa e mendoi ai. Me Çelsin vërtet e fitoi titullin, por sërish largimi nga “shtëpia” e Abramoviçit nuk ishte aspak me ndjenjë pozitive. “Me Abramoviçin nuk kemi qenë kurrë miq”, – u shpreh së fundmi. Edhe në “Old Traford” dashuria nuk ndezi, dhe në edicionin e tretë nuk pritet ta fitojë titullin, ndryshe nga sa i ka ndodhur në skuadrat e tjera. Mediat britanike shkruajnë se portugezi është zemëruar me bordin drejtues që nuk pranon shpenzime të mëdha për të konkurruar me Mançester Sitin, ndërsa trajneri shpenzon gjithnjë e më pak kohë në Mançester, duke u kthyer më shumë në shtëpinë e tij në Londër. Zhoze Murinjo ngjan më shumë me një “mace” që dashurohet me shtëpinë dhe me lavdinë, por aspak me “të zotët e shtëpisë”.
Sfidanti.al