PSG me laps: 400 milionë blerje, na duhen 70 milionë për bilancin

Vera e kaluar do të mbahet mend si shpërthimi “atomik” i Paris SG në tregun e futbollit. Edhe pse nuk ka bërë ende ndonjë “shpërthim bërthamor” në Champions, gjithsesi, parizienët kanë qenë në qendër të vëmendjes me shpenzimin e 400 milionë eurove për blerjen e Nejmarit dhe Mbapesë. Tashmë, në janar, aksionerët kanë marrë lapsin dhe kanë gjetur se do të duhet të kthejnë mbrapsht 60 apo 70 milionë euro për të shëndoshur bilancin dhe për të qenë në rregull me Lojën e Ndershme Financiare të UEFA-s.

Mediat franceze raportojnë se duhet bërë zgjedhja se cilët lojtarë duhen larguar dhe emrat janë Havier Pastore 28-vjeçar i marrë në 2011 për 42 milionë euro, Lukas Moura 24-vjeçar i marrë për 40 milionë euro si dhe Angel Di Maria 29-vjeçar i afruar për 63 milionë euro. Për Lukas Mourën interesohet Mançester Junajtid, edhe pse braziliani ka arritur një akord paraprak me klubin kinez, Guoan të Pekinit. Barcelona po mendon për Di Marinë, si alternativë për Kutinjon, ndërsa Pastore mendohet se mund të rikthehet në Itali, tek Interi.

Së fundi, është edhe portugezi Gonsalves Guedes, për të cilin Arsenali mund të japë gati 40 milionë euro, si dhe portieri Kevin Trap, i cili i intereson Liverpulit.

Sfidanti.al