“Dashuria” kërkon sakrifica sublime. Edhe më të mëdha i kërkon sakrificat, interesi dhe këtë po e kupton Totenhemi, ndonëse klubi anglez ka një strukturë pagash që nuk dëshiron ta shkelë për shkak se pastaj rrezikon falimentimin. Gjithsesi, “Parisi e vlen një Meshë” ka qenë shprehja e famshme e një mbreti, dhe po ashtu “Kejni e vlen një rrezik” është shprehja që dëgjohet sot në zyrat e stadiumit “Uajt Hart Lejn”.
Harri Kejn, sulmuesi kryesor i Spërsave dhe i kombëtares angleze, do të marrë një kontratë të re, me rrogë shumë më të rritur se deri tani për t’iu përgjigjur siç duhet statusit që ai gëzon në Premier Ligë. Paga e tanishme e tij është 110 000 paund stërlinash në javë (124 00 euro) apo rreth 6.5 milionë euro në sezon, ndërsa pritet të shkojë në 200 000 paund stërlina në javë (225 000 euro) apo mbi 10 milionë euro në vit.
Kjo rritje do ta bënte Harri Kejnin si lojtarin anglez më të paguar në Premier Ligë, përpara Rahim Stërlingut të Mançester Sitit që merr 180 000 paund në javë. Kejn do të ishte në vend të gjashtë në renditjen e pagave në Premier, baraz me Kevin De Brujnin, David De Gean dhe Eden Hazarin, ndërsa më të paguarit janë Pol Pogba i Mançester Junajtidit (290 000 stërlina në javë), Romelu Lukaku po i Junajtidit (250 000), Sergio Aguero (220 000) dhe Zllatan Ibrahimoviç (220 000).
Sfidanti.al