E mbylli të martën dhe e nisi të mërkurën në vendin e parë në Serinë A. Milani i sotëm i Stefano Piolit nuk është gjithmonë i bukur, mundet edhe të vuajë, por është me efikasitet shembullor. Një gol i Olivie Zhirusë i dha fitoren e radhës në kampionat ndaj Torinos dhe kryesimin me 28 pikë ndaj 25 të Napolit që luan të enjten ndaj Bolonjës në stadiumin “Maradona”. Sulmuesi veteran francez, kampion i botës, shënoi që në 14’, nuk u pa shumë në këtë ndeshje, por ishte me shumë efektivitet dhe me shumë përvojë. Torino luajti mjaft mirë dhe fitoi respektin e të gjithëve, por nuk arriti të merrte as edhe një pikë, ndonëse pas pushimit iu afrua dy herë golit. Milani këtë sezon është ndryshe në “San Siro” në krahasim me edicionin e kaluar, pasi ka 5 fitore në 5 ndeshje. Tashmë pritet nisja e provave të zjarrit, ndeshjet ndaj Romës, Portos (Champions) dhe Interit.
Milani (4-3-2-1): Tatarushanu, Kalabria, Romanjoli (Kjer), Tomori, Kalulu (Teo Hernandez), Tonali (Bakajoko), Kesi, Zelemekers, Kruniç (Benaser), Leao, Zhiru (Ibrahimoviç). Tr. Pioli
Sfidanti.al