Valter Zenga ka qenë “një prej nesh” për tifozët e Interit. Ish-portieri zikaltër, pjesëtar i skuadrës së rekordeve të Trapatonit, ia dha edhe ndihmën e fundit milanezëve, duke ndalur Lacion, dhe duke i lënë me shpresë për kualifikim në Champions. “Je epik”, ishte komenti i Marcel Brozoviçit pasi Krotone e Zengës mbajti në barazim 2-2 Lacion, duke e lënë vetëm 3 pikë mbi lombardët.
Java e fundit e Serisë A ka sfidën direkte për Champions, Lacio-Inter, dhe nëse zikaltërit fitojnë, shkojnë në kompeticionin kryesor europian të klubeve. Senad Luliç kaloi miqtë në epërsi në stadiumin e Krotones, me penallti në 17’, por Nuankuo dhe Çekerini përmbysën shifrat për vendasit që luftonin për të mos rënë nga kategoria. Ofensiva laciale në minutat e fundit solli golin e barazimit shënuar nga Sergej Milinkoviç-Saviç, por jo më shumë se kaq. Ekipi i portierit shqiptar, Tomas Strakosha, ka 72 pikë ndaj 69 të Interit, ndërsa Krotone e Zengës është në vendin e tretë nga fundi, pra në rrezik për të rënë në Serinë B, ndonëse ka ende shpresë (35 pikë, ndaj 35 të Spalit e 36 të Kaljarit).
Në “vallen” për mbijetesë janë përfshirë edhe Kievo, që fitoi 2-1 në fushën e Bolonjës, si dhe Udineze që fitoi 1-0 në fushën e Veronës, ekip që ka rënë tashmë në B, po ashtu si Benevento. Kaljari, gjithashtu, arriti fitore të madhe, 1-0 në fushën e Fiorentinës, duke mbetur me shpresë për qendrim në kategori.
Sfidanti.al