Ndeshja ishte e ashpër, ndoshta e bukur në një këndvështrim, por gjithsesi pjesë e një sporti të egër për të cilin gjithnjë mund të pyesës: A duhet të vazhdojë kështu? Dy burra të fuqishëm u rrahën me njëri-tjetrin dhe menjëherë pas fitores në “Uembli”. Entoni Xhoshua, thirri emrin e rivalit që dëshiron në radhë. “Ku je Tajson Fjuri, – tha ai, – unë dua të ndeshem me këdo në këtë ring”. Është e sigurt se kjo do të ndodhë, dhe bota do të shihte një derbi anglez për titullin botëror në peshat e rënda.
Kliçko, gjithsesi, nuk dëshiron që Xhoshua të ndeshet me dikë tjetër pa mbyllur llogaritë bashkë. Ai hodhi dorashkën e sfidës. “Kërkoj që të luhet revanshi, – tha ukrainasi, – jam gati menjëherë. Kjo është e përcaktuar edhe në kontratë”. Besohet se Xhoshua do të pranojë atë që ka firmosur vetë, ndërsa një tjetër duel me vlerë 40 milionë dollarë mund të zhvillohet shpejt.
Xhoshua-Kliçko doli një nga ndeshjet më të mëdha të kësaj kategorie të boksit, edhe pse duhet pritur për të parë se ku qendron në mes dueleve të jashtëzakonshëm të dikurshëm ku përballeshin Xho Ljuis, Muhamed Aliu, Xho Frejzeri, Xhorxh Foremani, Majk Tajsoni, Evander Holifildi, Lenoks Ljuisi apo vëllezërit Vitali e Vladimir Kliçko.
Anglezi e hodhi Vladimirin në tapet në raundin e pestë, ndërsa e pësoi edhe më rëndë vetë në të gjashtin, kur thuajse nuk ia doli të ngrihej. Gjithsesi, mosha 27-vjeçare bëri të vetën edhe ndaj një kampioni shumë të madh si Vladi, që sot është 41, dhe Xhoshua ka brezat e tri federatave, IBF, WBA dhe IBO.
Sfidanti.al