Duket sikur për këtë ekip nuk ka ekzistuar Kupa e Botës. Arsenali e rifilloi me fitore sezonin e Premier Ligës pas një ndërprerjeje më shumë se një mujore për shkak të turneut të madh në Katar, dhe yjet në fushë u duk sikur kishin luajtur bashkë pa ndalim. Njëri prej tyre edhe Granit Xhaka, që vërtet nuk shënoi gol në suksesin 3-1 në “Emirejts” ndaj Uest Hemit, por që vlerësohet si një nga shtyllat e ekipit. Një luftëtar i madh, shqiptari i Zvicrës është lider i skuadrës në fushë, në një transformim të madh që nga koha kur thuajse u përjashtua nga skuadra për shkak të përplasjes me vetë tifozët e “topçinjve”.
Djaloshi me origjinë nga Kosova di që të shënojë, por bën edhe shumë më tepër se kaq. Në një ekip me yje të rinj si Saka, Martineli, Nketiah apo Odegard, është e nevojshme udhëheqja e tij. Një personalitet të tillë Xhaka e ka treguar vazhdimisht, dhe kjo e ka ndihmuar skuadrën e trajnerit Mikel Arteta që krejt papritur ndodhet në krye të Premier Ligës, kampionatit më të fortë të botës, e duke sfiduar kampionët e Mançester Sitit, apo gjigandë të tjerë si Liverpulin, Mançester Junajtidin e Çelsin. Nuk dihet nëse Arsenali do t’ia dalë deri në fund, por forca e karakterit dhe loja që po zhvillon premton shumë. Fitorja 3-1 ndaj Uest Hemit bëri që londinezët të kenë 40 pikë ndaj 32 të Sitit, edhe pse të besuarit e Pep Guardiolës duhet ende ta luajnë ndeshjen e tyre.
Sfidanti.al