Kombëtarja e Shqipërisë ka pasur votë të ndarë (krejt normale) në anketën e FIFA-s për lojtarin më të mirë të vitit 2016. Kapiteni Ansi Agolli ka vendosur në vend të parë Kristiano Ronaldon, pikërisht fituesin, duke lënë në vend të dytë Lionel Mesin dhe të tretin Antuan Grizmanin. Ansi ka goditur në shenjë. Xhani De Biazi, ndërkaq, trajneri i Shqipërisë, nuk ka ngurruar të japë votën e tij të parë për një patriot të tijin, Xhanluixhi Bufonin. Për atë që përfaqëson Bufon, De Biazi ka të drejtë. Pas portierit dhe kombëtares së Italisë, radha i vinte dy gjigandëve të topit, Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit. Në emër të Shqipërisë ka votuar edhe një përfaqësuese e medias, Dhurata Bejzade. Preferenca e saj ishte për Lionel Mesin, ndërsa në vend të dytë ishte portieri i Gjermanisë, Manuel Nojer, dhe vetëm i treti Kristiano Ronaldo.