Volejbolli shqiptar, apo të bësh sport me “bukë me vete”

Në vitet 90-të u bë e famshme skuadra e futbollit e Dinamos, e drejtuar nga trajneri Farruk Sejdini, që shkonte në ndeshjet jashtë fushe duke marrë tenxhere me vete, e duke bërë gjellë me patate rrugës. Të tilla ishin kushtet në klubin dikur të lavdishëm, por që akuzohej asokohe si “ekip i spiunëve të Ministrisë së Brendshme dhe i Enver Hoxhës”. Kanë kaluar mbi 25 vjet, dhe “bukën me vete” e marrin ekipet e sporteve të tjerë në Shqipëri edhe sot e kësaj dite. Kjo vlen për basketbollin e për volejbollin, madje edhe për ekipet që dalin kampionë dhe që fitojnë kupat, siç jano ato të Tiranës.

Lojtarët janë me dypunësim, ka nga ata që shkojnë në punë turni i tretë menjëherë pas ndeshjes, edhe kur fitojnë Kupën dhe brohoriten nga tifozët. Në volejboll, një lojtar i mirë merr 300-400 000 lekë të vjetra rrogë në muaj, ndërsa me ligj të shtetit, rroga e trajnerit (trajtimi ushqimor) është 102 000 lekë të vjetra (!!!) Me këto kushte, dhe me ndonjë sponsor të gjetur miqësisht, sporti shqiptar jeton epokën e tij moderne!

Sfidanti.al