Kur ai shënon, Juventusi si rregull fiton. Në dy ndeshjet e fundit, nuk kishte realizuar dot Dushan Vlahoviç dhe torinezët ishin ndalur në dy barazime, por tashmë është ndryshe. Në Empoli ia kishte dalë edhe me fanelën e Fiorentinës, e bëri edhe me atë të Juves, madje dy herë, dhe një mendim e ka edhe për titullin. “Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, – thotë ndërsa pyetet për “skudeton”, – në fund, le të ndodhë çfarë të ndodhë”. Gjithsesi, sulmuesi serb thotë se “kjo ishte një fitore e rëndësishme, e rëndë”, ndërsa flet për “emocione të mëdha” ndërsa të mërkurën kthehet në stadiumin “Artemio Franki” të Firences. Po trajneri Alegri çfarë thotë? “Që të fitohet titullin duhen 84-85 pikë, – shprehet ai, – objektivi ynë mbetet vendi i katërt. Duhet të përmirësohemi në zotërimin e topit, por u treguam të fortë që ditëm të vuanim. Vlahoviçi ka cilësi shumë të rëndësishme, dhe është ambicioz. Ka mundësi shumë të mëdha përmirësimi, por këtë herë vrapoi më shumë dhe kjo na ndihmoi. Është i fortë edhe në karakter”.
Sfidanti.al