Vitinha, prioritet i Real Madridit

Emri i Vitinha-s po rikthehet me insistim në faqet e para të medieve spanjolle. Real Madridi e ka vendosur mesfushorin portugez në krye të listës së dëshirave për verën e ardhshme dhe synon t’i besojë atij “çelësat” e mesfushës që nga sezoni i ardhshëm. Në muajt e fundit është përfolur për një klauzolë kontraktuale që do t’i lejonte Vitinha-s të largohej nga Paris Saint-Germain për rreth 90 milionë euro. Në realitet, në Francë klauzolat e lirimit nuk ekzistojnë zyrtarisht, ndaj bëhet fjalë për një marrëveshje private mes lojtarit dhe drejtuesve të klubit parizien. Pavarësisht dëshirës së fortë të PSG-së për ta mbajtur mesfushorin kyç, në Madrid ka bindje se operacioni mund të mbyllet me sukses. Pengesë mbetet marrëdhënia e tensionuar mes dy klubeve, e përkeqësuar nga çështje si Superliga Evropiane, me Nasser Al-Khelaïfi-n kundërshtar të projektit dhe Florentino Pérez promotor, si edhe nga dosja Mbappé.

Sipas Cadena SER, Vitinha është prioritet absolut i Real Madridit për përforcimin e mesfushës. Megjithatë, lëvizja nuk do të nisë pa rolin vendimtar të vetë lojtarit: topi është në fushën e tij. Ai duhet të shprehë hapur vullnetin për t’u larguar, duke njoftuar si PSG-në ashtu edhe Real Madridin. Vetëm pas këtij hapi, “los blancos” mund të nisin konkretisht negociatat.

Nëse fillimisht flitej për 90 milionë euro, sot transferimi mund të mbyllet rreth shifrës 100 milionë. Mbetet për t’u parë nëse Vitinha do të hedhë hapin e parë drejt “Bernabéu”-t, në atë që mund të shndërrohet në një nga operacionet më të mëdha të merkatos së verës.

sfidanti.al