Nuk kanë se ç’bëjnë, njëri është i Madridit dhe tjetri i Barcelonës. Natyrisht, sot nuk janë kohët e viteve 1713-1714 kur Mbreti i Spanjës ktheu grykat e topave nga lagjet e Barcelonës për ta shkatërruar në luftën dinastike me Habsburgët, por gjithsesi acarimi vjen shpejt. Dy simbole të madridizmit e katalonizmit, Sergio Ramos e Gerard Pike, kanë nisur një betejë të re, në luftën e tyre të vjetër.
Shkak, ngjarjet e fundit me arbitrat në La Liga, ku Barça ka akuzuar gjyqtarët se po ndihmojnë Realin që të fitojë titullin. “Do ta kemi të vështirë të fitojmë titullin, – tha Pikeja pas barazimit 0-0 në Sevilje, – sepse Reali nuk besoj se do të humbasë pikë. Arbitrat nuk do ta lejojnë”. Ramosi u përgjigj duke thënë se “Pikeja nuk duhet të shpikë gjëra të tilla që nuk ekzistojnë”. “Fjalët kanë nisur tani që ne kemi dalë në krye, sepse më parë nuk thuheshin”, – vazhdoi Ramosi.
Dy mbrojtësit e qendrës kanë qenë si “vëllezërit binjakë” në kombëtaren e Spanjës, duke qenë çifti më i fortë në botë, duke ndihmuar “Furitë e Kuqe” që të triumfonin në Euro 2008, Kupën e Botës 2010 dhe Euro 2012. Gjithsesi, ata janë edhe me fanelat “merenges” e “blaugrana”, pra në konflikt konstant për të fituar titujt në Spanjë e në Europë.
Sfidanti.al