Mark Vaks, mbrojtësi i Dinamos së Dresdenit, ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë në një dyqan në Vesbaden. Gjermani është tronditur sërish. Pas sulmit terrorist në Berlin, në një dyqan në Vesbaden ka mbetur një person i vrarë dhe një tjetër i plagosur. Konfirmohet, se personi i plagosur është mbrojtësi i Dinamo Dresden, Mark Vaks, shkruan gazeta gjermane Bild. Futbollisti i është nënshtruar një operacioni dhe është jashtë rrezikut për jetë, ka njoftuar skuadra nga Bundesliga 2.
“Ne jemi të tronditur, të habitur dhe të prekur thellë. I gjithë klubi i Dinamos qëndron prapa Markut dhe familje së tij “, ka thënë drejtori sportiv i Dresden, Ralf Minge, nëpërmjet faqes zyrtare të klubit. Zëdhënësi i policisë, Markus Hofman ka konfirmuar për Bild, se janë në kërkim të dy të dyshuarit, të moshës mes 20 dhe 30 vjeç. “Motivi i këtij aktit është ende i paqartë. Ne jemi tani në kërkim të autorëve, madje edhe duke përdorur helikopterë”, ka theksuar Hofman.