Nëse do të flisnim për merita, ndoshta fituesi vërtet këtë herë nuk duhet të gjykohet. Mes dy ekipesh shumë larg lavdisë dhe formës së dikurshme, Reali u duk me më shumë dëshirë dhe energji për të luajtur El Klasikon sesa Barcelona, por gjithsesi fitorja erdhi në një masë aspak të vogël me ndihmën e gjyqtarit.
Në pjesën e parë, Kasemiro shkeli Mesin në zonë, dhe pavarësisht se preku topin, ndërhyrja ishte e rrezikshme dhe e ndëshkueshme. Gjithsesi VAR-i që e shqyrtoi rastin nuk e quajti të vlefshëm për penallti. Pas pushimit, në minutën e 62-të, VAR-i këshilloi gjyqtarin Martinez Munera që të shikonte pamjet me përsëritje në monitor, pasi Lengle tërhoqi Ramosin nga fanela. Për Munerën ajo ndërhyrje ishte penallti, dhe pasi Ramosi shënoi El Klasiko ndryshoi. Barcelona, që ishte dobët në pjesën e parë, por luante më mirë pas pushimit, por pasi mbeti në dizavantazh, u detyrua të linte hapësira prapa dhe Reali e pati më të lehtë të krijonte raste dhe të shënonte me anë të Luka Modriçit.
Edhe vetë analisti i moviolës për arbitrat i gazetës “Marka” të Madridit, Anduhar Oliver, deklaroi se ndërhyrja e Lenglesë ndaj Ramosit nuk ishte në ekstremin e penalltisë. Po ashtu, 53 për qind e mbi 60 000 votuesve të “Markës” gjykuan se penalltia nuk duhej dhënë. Kjo gjë flet shumë! Reali fitoi me golat e shënuar nga Valverde në 5’, Ramosin në 63’ me penallti, dhe Modriç në sekondat shtesë, ndërsa Barcelona barazoi përkohësisht me Ansu Fatiun. Reali ka 13 pikë në 6 ndeshje në La Liga, ndërsa Barcelona vetëm 7 në 5 takime.
Sfidanti.al