Më keq se kaq a mund të shkojë? Një emër i madh si Reali po bëhet tallja e gjithë Spanjës, dhe po shkon nga disfata në disfatë. Vërtet u shënua më në fund një gol, por ndeshja me Levanten në “Bernabeu” u humb, në vazhdim të një krize rezultatesh që duket pa fund.
Trajneri Hulen Lopetegi rrezikon seriozisht shkarkimin pas humbjes së tretë radhazi, dhe serisë prej 5 ndeshjesh pa fitore. Ekipi i tij vendosi rekordin negativ historik të 8 orëve e 1 minute pa shënuar, diçka e paimagjinueshme për një klub si Reali.
Morales dhe Marti me penallti i dhanë epërsinë 2-0 Levantes në pjesën e parë, ndërsa përpjekjet e madrilenëve pas pushimit nuk mjaftuan, ashtu si goli i Marselos.
Mungesa e Kristiano Ronaldos ndihet gjithnjë e më shumë, po ashtu fakti se lojtarë të rëndësishëm si Modriç apo Ramos janë jashtë forme. A do ta shkarkojë presidenti Perez, Lopetegin në prag të “El Klasikos” me Barcelonën?
Gazeta “AS” informon se trajneri ende nuk rrezikon. “Kadena Ser bën me dijë se Lopetegi u takua me Florentinon dhe se mund të vazhdojë”.
Gjithsesi, “Marka” shkruan ndryshe: Florentino i bën planet pa Lopetegin”. Gazeta njofton se si pasardhës flitet ish-lojtari i Realit, Solari.
Sidoqoftë, ka nga ata që fajësojnë pikërisht presidentin Perez.
Analisti Hezus Sançez shkruan po për “Markën” se Lopetegi është viktima dhe jo fajtori, pasi ai u bë mish për top për shkak të planifikimit të keq të Perezit të një Reali pa Ronaldon.
Sfidanti.al