Uzuni: Dua që të ngjitem në La Ligë me Granadën!

Mbërriti, siç thuhet, në majë të gishtave. Myrto Uzuni nuk mund ta konsideronte veten një yll të madh në Spanjë, ndërsa erdhi në La Ligë janarin e vitit të kaluar që nga Superliga e Hungarisë. Diferenca ishte shumë e madhe, dhe ylli i kombëtares shqiptare kishte gjithçka për të provuar, veçse pas më shumë se një viti mund të thotë me krenari që ia ka dalë. Kjo edhe pse shënoi vetëm një gol në elitën e futbollit spanjoll, dhe ra nga kategoria bashkë me Granadën.

Sezoni 2022-2023 është i shkëlqyer, me 17 gola e duke qenë i pari në renditjen e Këpucës së Artë në ligën e dytë. “Mendoj se ky është momenti më i mirë i karrierës sime. E gjitha kjo vjen vetëm nga puna e madhe që kam bërë. Suksesi nuk mund të arrihet vetvetiu. Kjo ka ndodhur për shkak të mentalitetit tim fitues”.

Sulmuesi beratas ngacmohet se mund të ishte larguar në janar pasi pati oferta. “Kur luan dhe shënon gola, gjithmonë vijnë oferta. Gjithsesi, ekipi ra nga kategoria bashkë me mua, dhe tani e kam për detyrë që ta ndihmoj të kthehet në La Ligë. Është sikur kemi humbur në det, dhe unë nuk mund të braktis shokët. Ky është mentaliteti im, kështu më kanë edukuar prindërit, që të mos i braktis njerëzit që më duan, kur kanë nevojë për mua”.

Uzuni pohon se në Spanjë erdhi për shkak të Ronaldos, dhe tregon sesi ndihet në Granadë. Vendosa të vija në Granadë sepse idhulli im Kristiano Ronaldo luante në Spanjë dhe unë e shikoja gjithmonë La Ligën në televizor. Ishte një ëndërr që të luaja në La Ligë. Edhe kur ramë nga kategoria, vendosa të qendroja këtu sepse ndjej që më duan shumë. Njerëzit më duan dhe unë ndihem si në shtëpinë time”.

Sfidanti.al