Nuk ishte e vetmja akuzë ndaj klubit të pafat turk, por ishte më e habitshmja. Beshiktashi është shpallur fajtor për organizimin jo siç duhet të ndeshjes së Championsit ndaj Bajernit në Stamboll, dhe shkaku ishte … hyrja e maces në terren. Nëse gjithkush e mori me shaka dhe pati rast të ulte nivelin e tensionit, UEFA nuk u bë pjesë e kësaj shoqërie.
“Qeveria” europiane e futbollit ishte ajo që e shpalli fajtor Beshiktashin dhe pritet ta gjobisë që lejoi macen t’u shpëtonte masave të sigurisë dhe të hynte në fushë. Kush e di, UEFA po mendon “po sikur të ishte një mace-bombë”, pak a shumë siç arsyetoi Platinia për dronin shqiptar në Beograd, “po sikur të kishte bombë” (duke harruar fuçinë e futur në stadium nga disa tifozë serbë).
UEFA pati edhe disa akuza më serioze për stambollinjtë, duke i bërë me faj për hedhje të objekteve në fushë dhe për bllokim të shkallëve në stadiumin “Vodafon Arena”. Gjithsesi, Beshiktashi e kaloi që mbrëmë në darkë më të keqen, kur provoi humbjen e dytë ndaj Bajernit, 1-3, pas asaj 0-5 në Mynih.
Sfidanti.al