Një udhëtim drejt Lionit për një grup prej dhjetë tifozësh të PAOK-ut u shndërrua në një tragjedi. Në Timishoara të Rumanisë, pas një manovre të rrezikshme parakalimi, furgoni që transportonte tifozët grekë u përplas me një kamion cisternë. Shtatë prej tyre vdiqën menjëherë, ndërsa një nga tre të plagosurit është aktualisht në gjendje të rëndë në Spitalin Lugoj.
PAOK-u i Selanikut luan jashtë fushe kundër Lyon-it të enjten në mbrëmje në ndeshjen e fundit të Fazës së Ligës së Evropës. “Jam informuar për aksidentin tragjik në Rumani, i cili mori jetën e shtatë bashkatdhetarëve të rinj. Qeveria greke dhe ambasada jonë janë në koordinim të ngushtë me autoritetet lokale, duke ofruar çdo formë të mundshme mbështetjeje”, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis. PAOK ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me qeverinë, duke koordinuar mbështetjen për familjet dhe tifozët e lënduar dhe duke dërguar përfaqësues të klubeve në Rumani. Shoqatat e tifozëve të klubeve rivale Olympiakos, Panathinaikos, Aris dhe të tjerë dërguan mesazhe uniteti dhe ngushëllimi.
sfidanti.al

