Turpërim nga vëllezërit, Kosova tri “shuplaka” Shqipërisë së Panuçit!

Kush e mendonte se do të vinte kjo ditë? Kombëtarja e Shqipërisë, ajo që quhej mësuesja, mori një mësim të vërtetë futbollit nga ajo që quhej “motra” e vogël, Kosova. Në duelin mes vëllezërve të një gjaku, luajtur në fushë asnjanëse në Zyrih të Zvicrës, fitoi ai i vogli, nëse mund të shprehemi kështu.

Një shuplakë e fortë, me shifrat 3-0, që tregoi se raportet kanë ndryshuar dhe se eksperimentet kushtojnë qoftë edhe në miqësore të tilla, dhe se kurrë nuk mund të hyhet në fushë me mentalitetin e gabuar. Për shqiptarët e Kosovës dy herë shënoi Arbër Zeneli, mesfushori i Herenvenit në Holandë, dhe një herë Edon Zhegrova i Genkut të Belgjikës.

Shqipërinë e çoroditën, mesa u pa, sidomos ndryshimet në mbrojtje, ku mungesa e Mavrajt rezultoi fatale. Në qendrën e mbrojtjes dikur luanin kapitenë të vërtetë si Cana e Mavraj, ndërsa eksperimenti me dyshen Gjimshiti-Veseli, doli i dështuar. Jo vetëm kaq, por edhe ndryshimet e tjera të shumta në formacion ulën harmoninë e ekipit, në sulm dhe në mbrojtje. Lika, Ramadani, Qaka, Ndoji dhe Guri ishin plot 5 lojtarë që luanin thuajse për herë të parë me njëri-tjetrin.

As edhe zëvendësimet e shpejta të bëra nga Panuçi nuk e ndryshuan gjendjen. Manaj, Lilaj, Abazaj apo Balaj ishin ata që hynë në miqësore nga stoli. Kaq e dobët ishte loja e ekipit tonë përfaqësues saqë goditja e parë kuadratin e portës së Samir Ujkanit erdhi vetëm në minutën e 77-të.

Kosova, edhe ajo provoi skema e lojtarë, dhe trajneri Shaland mbeti i kënaqur. Me disa futbollistë të cilësuar si talente të vërtetë, mund ta presë me optimizëm fillimin e eleminatoreve të Europianit, dhe Ligën e Kombeve. Panuçi, ndërkaq, e kuptoi sesa shpejt mund të ndryshojë gjendja në kombëtaren e Shqipërisë.

Sfidanti.al