Serhio Ramosi e udhëhoqi Realin e Madridit drejt titullit të tretë radhazi të Champions-it, duke mundur 3-1 në finalen e tij Liverpulin, por, ndërkohë, ai u bë aktori kryesor në një moment kyç të ndeshjes, kur, mbas një dueli me Mohamed Salahun, asi egjiptian mbeti i shtrirë në tokë dhe u detyrua që të zëvendësohej. Dhe, ndërkohë që tifozët e Liverpulit reaguan furishëm, duke pretenduar se ai e kishte dëmtuar qëllimisht futbollistin më të mirë të tyre, vetë Ramosi i dërgoi një mesazh Salahut.
“Ka raste, kur futbolli tregon anën e tij të mirë, por ka raste, kur ai tregon edhe anën e tij të keqe. Para së gjithash, ne jemi kolegë profesionistë, Shërohu shpejt, Salah, e ardhmja është me ty”, shkroi Ramosi në profilin e tij në Twitter.
Federata Egjiptiane e Futbollit, ndërkohë, deklaroi se ka shanse që Salahu të jetë “fit” (i gatshëm) për Botërorin e Rusisë (14 qershor-15 korrik), pasi mjeku i Liverpulit i kishte thënë asaj se fjala është për një dëmtim ligamentesh dhe jo për ndonjë frakturë. Sidoqoftë, ditët e ardhshme, do të konkludohet sesa serioz është dëmtimi që pësoi Mo Salahu dhe sesa gjatë ai do të mungojë nga fusha e futbollit.
Sfidanti.al