Kështu shkruajnë, gjysmë me shaka, e gjysmë me të vërtetë, mediat bavareze, ndërsa disfata në derbin e Landit ndaj Augsburgut djeg jashtë mase. Përtej gallatës se “të paktën, Bundesliga nuk është më një kampionat kooperativist”, vijnë fjalët serioze që kanë lidhje me besimin që po tronditet tek trajneri. “Nagelsmani është një talent i shkëlqyer, – shkruajnë mediat në Mynih, – ne e vlerësojmë dhe e pëlqejmë shumë, por është e vështirë të kesh tek ai besimin që kishim më parë”. Kritikat janë që Bajerni nuk po duket ekip aq i shkathët dhe aq i zhdërvjellët sa në fillim, dhe nuk kuptohet mirë se përse. Faza sulmuese me Sanenë, Gnabrinë, Manenë, Mylerin, Musialën, që u duk e papërmbajtshme, tashmë nuk po “ndez”, nuk po shënon. “Pa ritëm, dëshirë dhe agresivitet nuk i mund dot rivalët”, – shkruhet në Bavari. “Mane është dobët këto kohë”, – është një vërejtje tjetër, ndërsa shtohet se po ndihet shumë mungesa e Levandovskit. Bajerni duket se e ka problem të thyejë ekipe që janë shumë të fortë dhe agresivë fizikisht, siç ishte Augsburgu.
Sfidanti.al