Trajnerët e kombëtareve në Shqipëri, si drejtorët e doganave!

“Jetojmë në Tironë”, ishte kënga me të cilën u prezantua Edi Rama përpara votuesve në vitin 2000. Ne do ta zgjerojmë pak më shumë dhe do ta bëjmë “jetojmë në Shqipëri”. Meqë, “e kemi lidhur gomarin” tek futbolli, po merremi me këtë të fundit, dhe lajmi është që trajnerët e kombëtareve të moshave do të zëvendësohen.

Shkurt, të dala nga goja e presidentit të FSHF-së, Duka, këto fjalë janë një dënim për njerëzit që kishin detyrat kaq të rëndësishme, dhe që do të largohen “toptan”.

Përse po largohen ata? Padyshim për rezultate të dobëta, veçse në Shqipëri flitet se në filan “U” ka pasur tender për të veshur fanelën kuqezi. Nëse do të bëhet një llogari me euro, do të dalë një shifër e madhe, që sipas “gojëve të liga” e kanë nxjerrë nga xhepi prindërit e varfër shqiptarë që djemtë të kenë CV kuqezi.

A do të ketë analizë në FSHF? As nuk duhet të lodhemi ta mendojmë, sepse kurrë nuk ka pasur analizë për “marrëveshjet xhentëlmene” të presidentëve për ndeshje të caktuara, as për ndershmërinë e arbitrave, dhe as për futbollin elektoral që luhet një herë në dy vjet apo një herë në katër vjet.

Në fund të fundit, ne në Shqipëri luajmë futboll për të gënjyer njerëzit (që, për dreq nuk po na vijnë nëpër stadiume). Ky sport ka “zero” rëndësi si biznes dhe po qe itillë, ose mbyllet fare, ose keqpërdoret. Në Shqipëri është varianti idytë, pra futbolli vlen për të bërë ndere dhe aleanca që mund të jenë për biznes dhe për politikë (gjithnjë përfundojmë tek paratë). Prandaj, këto histori na kujtojmë ato të drejtorëve të doganave, që ishin njerëzit më të pabesueshëm në Shqipëri, por që vetëm ndryshoheshin “toptan” kur vinte momenti, dhe kurrë nuk bëhej analizë për t’i futur në burg.

Sfidanti.al