Enigma thuajse u shua për dy sfidat e Ligës së Kampionëve në Londër dhe Amsterdam. Nuk do të jetë vetëm Paris SG me emërtimin si “me një këmbë e gjysmë në çerekfinale”, por këtë do ta kenë edhe Totenhemi dhe Reali. Sukseset e tyre, përkatësisht ndaj Dortmundit dhe Ajaksit, ishin të tilla që ua japin këtë favor.
Stadiumi “Uembli” jetoi një tjetër natë të madhe në historinë e tij të gjatë, edhe pse jo barabartë me heroizmin e Anglisë në 1966, të Mançester Junajtidit në 1968 dhe Liverpulit në 1978.
Totenhem Hotspuri, përkundër mungesave kyçe, arriti një fitore dërrmuese ndaj një kundërshtari hijerëndë si Borusia, kryesuese e Bundesligës. Koreanojugori Son në 47’, mbrojtësi Vertongen në 83’ dhe sulmuesi Jorente në 86’ ishin autorët e golave, nërsa portieri Joris nuk lejoi që gjermanët të kalonin të parët në epërsi, në pjesën e parë, me anë të Zagadusë.
Pjesa e parë ishte e mirë për Dortmundin, që gjithashtu pati 4 mungesa, dhe për të cilin shkëlqeu adoleshenti anglez, Xhejdën Sanço. Gjithsesi, mungesa e përvojës u pagua shtrenjtë dhe skuadra e trajnerit Favre ka tani shumë pak shanse.
Ajaksi po ashtu ka pak shpresa, pas humbjes 1-2 në Arenën e tij me Realin. Kampionët e Europës e shfrytëzuan gjithashtu diferencën e madhe të përvojës, të pjekurisë dhe të talentit me një ekip që e ka të pamundur të ngrihet, jo më në nivelet e viteve 70-të, por as tek vitet 1992-1996.
Sidoqoftë, Ajaksi shënoi në pjesën e parë me mbrojtësin Taliafiko, por goli iu anulua nga VAR-i. Pas pushimit, Karim Benzema shënoi për 1-0 në 60’, Hakim Zijah barazoi me meritë për holandezët në 75’, por Marko Asensio i dha fitoren kampionëve të Europës në 87’.
Sfidanti.al