U mendua se ajo që ndodhi me Romën u la pas, por duket se efekti paska qenë më i gjatë sesa pritej. Milani pësoi një tjetër zhgënjim, këtë herë me pasoja të pakthyeshme sepse u eliminua nga Kupa e Italisë dhe “fajtore” ishte Torino. Në të vërtetë, fajet i patën vetë kuqezinjtë dhe për këtë trajneri Stefano Pioli mori atë masën që shpesh përdoret në Itali, “grumbullimin”, dhe futbollistët si ndëshkim e kaluan natën në Milanelo. Në Angli, Spanjë apo Gjermani kjo nuk ndodh, por duket ka arsye që praktikohet në Apenine. “Një zhgënjim i madh, – tha Pioli, – nuk treguam cilësinë e duhur në fushë, nuk dhamë siç duhet pasimin e fundit. Nuk kritikoj vetëm De Ketelerin, pasi që të gjithë duhej të kishim qenë më mirë”. Kritikat mediatike theksojnë se Torino fitoi duke luajtur me rezervat dhe për shumë minuta me 10 lojtarë, ndërsa Milani humbi me titullarët në fushë. Pas 120’ lojë, golin për 1-0 e shënoi Bajeje.
Sfidanti.al