Shpëtoi skuadrën nga humbja dhe vazhdoi marshimin drejt Këpucës së Artë në Spanjë dhe në Europë. Lionel Mesi, edhe në moshën 31-vjeçare është në gjendje të shënojë më shumë gola sesa ndeshje të luajtura, dhe kështu bëri në barazimin dramatik, 2-2, ndaj Valencias në “Kamp Nou”. Miqtë kryesuan 2-0, por një penallti dhe një gol i shkëlqyer, që të dy të Mesit, bënë që pikët të ndaheshin.
Gjithsesi, në minutën e 70-të, Leo pati një përplasje gju më gju, menjë lojtar kundërshtar, dhe ndjeu dhimbje. Stafi mjekësor i Barçës u kujdes për argjentinasin, që u kthye në fushë pas dy minutash, por e përfundoi ndeshjen sërish me dhimbje. Mediat e Madridit theksojnë se numri 10 është në dyshim për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit ndaj Realit në “Kamp Nou”, ndonëse nga klubi katalanas ka deklarata optimiste.
Mesi ka 21 gola në 20 ndeshje të luajtura në La Liga këtë sezon, dhe 29 gola në 27 ndeshje gjithsej. Barcelona, ndërkaq, kryeson me 50 pikë ndaj 44 të Atletikos, që mund të afrohet në 3 pikë.
Sfidanti.al