“Titulli i vullnetit” ende i mundshëm, Liverpuli mund Sauthemptonin

Nëse do të jenë në krye, në fund të sezonit, ky do të ishte titulli i vullnetit. Këto ishin fjalët e Jurgen Klopit për Liverpulin e tij, pas triumfit për infarkt ndaj Totenhemit. Vullneti i të kuqve u testua sërish deri në skaj në stadiumin “Shën Mëria” (Sent Meri) të Sauthemptonit, ku sërish tregoi se ishte shumë i fortë, duke fituar 3-1 e duke u ngjitur sërish në vend të parë në Premier Ligë.

Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e 9-të me anë të Shejn Longut (goli i tij i 50-të në Premier), por Nabi Keita ia shpërbleu besimin Klopit duke barazuar në 36’. Pas pushimit, Liverpuli rriti presionin, por mbrojtja e Sauthemptonit u mbajt fort. Gjithsesi, asnjë ekip nuk ka shënuar e fituar më shumë në minutat e fundit sesa liverpulasit. Në të 80-ën, Mohamed Salah më në fund e tregoi veten me golin personal për 2-1, ndërsa në 86’ ishte kapiteni Xhordan Henderson që fiksoi shifrat 3-1.

Liverpuli duhej ta tregonte veten në “Sent Meri”, ku Totenhemi e Arsenali humbën, Mançester Junajtidi barazoi, por Siti fitoi. Ky duhej të ishte standardi dhe skuadra e Klopit ia doli. Mohamed Salah tregoi se përse trajneri nuk e heq nga fusha, edhe pse ai kishte 8 ndeshje pa shënuar, duke realizuar një rrjetë të madhe dhe vendimtare. Liverpuli ka 82 pikë ndaj 80 të Mançester Sitit që ka luajtur një ndeshje më pak.

Sfidanti.al