Nja 15-20 vjet më parë kishte presidentë që u thoshin trajnerëve që të mos mburreshin shumë për titullin e fituar, pasi “nëse bëjmë llogaritë, del që më shumë pikë kam fituar unë sesa ti”. Sot është ndryshe, dhe dikush apo disa mbi presidentin I thonë këtij se duhet t’i bëjë llogaritë me ta, dhe jo me trajnerin, për të arritur suksesin.
U fol shumë se pati një komplot sezonin e kaluar që Tirana të binte nga kategoria, “përbetim” me qendër në FSHF. Edicioni kaloi dhe filloi tjetri, me skuadrën e presidentit Halili që “fluturoi” e sigurt deri në janar, por pikërisht tani filloi të ngecte. Pikërisht, në momentet vendimtare!
A kemi sërish një komplot kundër Tiranës? Tifozët bardheblu janë të sigurt që po, shumë të tjerë janë me dyshime, por e vërteta është se kreu I kryeqytetasve e ka harruar se “sipas vendit, bëhet kuvendi”, pra duhet të dish të luash lojën që luajnë të tjerët.
Komplote ka çdo javë, çdo ditë, në futbollin shqiptar, dhe po nuk dite të jesh pjesë e tyre nuk mund të mbijetosh. Atëherë kur Tirana ishte e fortë dhe fitonte tituj radhazi, ia dilte jo thjesht sepse kishte një skuadër më të fuqishme se të tjerët, por edhe sepse dinte “ta kishte situatën nën kontroll”. Sot, ky kontroll ka humbur, ndërsa e kanë disa klube që kurrë nuk rrezikohen apo që gjithnjë arrijnë qëllimet e tyre, dhe që zakonisht janë pranë kryeqytetit.
Problemi që shtohet në këto komplote, nga FSHF, është nga parimi se “pushteti absolut, korrupton në mënyrë absolute”. Ky pushtet absolut krijon “aleanca absolute” të cilat vendosin për çdo gjë. Për fat të keq, Tirana nuk bën pjesë te këto aleanca.
Sfidanti.al