Tirana të kujtojë Flamurtarin dhe përçmimin e drejtorit të Zvezdës që kërkon 4 gola!

Së pari duhet të kujtojnë pamjet e vitit 1987.  Futbollistët e Tiranës bëjnë mirë të mos harrojnë atë kohë kur një tjetër ekip shqiptar si Flamurtari kaloi pengesën që mendohej e pamundur, Partizanin e Beogradit, duke arritur kualifikimin e bujshëm në Kupën UEFA. Në prag të duelit të sotëm ndaj Crvena Zvezdës kjo vlen për të kuptuar se asgjë nuk është e pamundur, gjithnjë me kusht që të kesh punuar fort për suksesin.

Tifozët bardheblu, më përpara, do t’u kujtonin lojtarëve të tyre kualifikimin gjithashtu historik të ekipit të tyre, 17 Nëntorit të asaj kohe, ndaj Dinamos së Bukureshtit në Kupën e Kupave të Europës në 1986, me dy fitore të shkëlqyera 1-0 e 2-1.

I tillë është futbolli, ashtu siç ishte kur Crvena Zvezda e vitit 1991 eleminoi Bajernin e madh të Mynihut në gjysmëfinale të Kupës së Kampionëve, nën thirrjet e komentatorit të njohur jugosllav, Milojko Pantiç, intelektualit që sot është një patriot serb, por jo një nacionalist që urren kombet fqinjë, dhe që lufton kundër miteve të rreme të historisë.

Crvena Zvezda që luan sonte përballë Tiranës kuptohet nuk është Ylli i Kuq i 1991-it kur mundi Olimpikun e Marsejës në finalen e Championsit dhe fitoi trofeun e madh, ndërsa pikërisht ajo fitore tregoi se në futboll mund të ndodhë gjithçka. Siç u shpreh pas finales presidenti i Marsejës, Bernar Tapi, “shpenzuam 100 milionë dhe nuk e fituam dot Kupën e Kampionëve, ndërsa Zvezda fitoi Kupën e Kampionëve dhe pastaj fitoi 100 milionë”.

Këtë duhet ta kenë parasysh futbollistët e Tiranës, ndërsa tifozët e nisën ndeshjen që gjatë natës. Ata shpërthyen fishekzjarrë pranë hotelit në qendër të kryeqytetit ku Zvezda kaloi natën, dhe sipas mediave tabloide serbe, lojtarët nuk vunë gjumë në sy, ndonëse kjo pak besohet të jetë e vërtetë. Motivim shtesë për kampionët e Shqipërisë le të jetë nënvleftësimi i plotë që Tiranës i bëri drejtori sportiv i rivalëve, Zvezdan Terziç. “Nëse nuk u shënoni 4 gola mos më dilni para syve”, ishin fjalët e tij në koridorin e “Arenës Air Albania”.

Sfidanti.al