Tirana e mbyll Kategorinë e Parë si kampione, Greca mund Kastriotin!

Tirana u shpall kampione e Kategorisë së Parë në futboll, pasi fitoi 2-0 finalen ndaj Kastriotit luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Skuadra kryeqytetase pati epërsi në duelin mes dy ekipeve më të mirë të kësaj kategorie, dhe arriti suksesin falë dy golave të shënuar nga Bedri Greca, që të dy në pjesën e dytë.

Tiranasit kishin dalë në vend të parë në Grupin B të Kategorisë së Parë, ndërsa Kastrioti i Krujës kishte fituar Grupin A, me të dy ekipet që do të jenë në Superligë sezonin e ardhshëm.

Bashkë me trofeun, formacioni i drejtuar nga trajneri Ze Maria fitoi edhe 3 milionë lekë të reja, aq sa është shpërblimi i dhënë nga Federata për skuadrën kampione. Tirana rikthehet në Superligë një vit pasi ra nga elita, ndërsa krutanët ia dolën pasi luajtën 4 vjet në Kategorinë e Parë.

Sfidanti.al