Në 2011 e 2012, nën drejtimin e Jurgen Klopit, Borusia fitoi dy herë titullin e Bundesligës dhe u duk në nisje të një epoke të artë. Për fat të keq në 2013 humbi në fund fare finalen e Championsit ndaj Bajernit në “Uembli”, ndërsa një vit më vonë humbi një tjetër “finale”, atë për të mbajtur Robert Levandovskin. Një lojtar i tillë u largua me parametër zero dhe që nga 2014 e deri më sot Bajerni del vazhdimisht kampion. “Rrallë kam vuajtur aq shumë sa atëherë kur humbëm Levandovskin”, – thotë shefi ekzekutiv dortmundas, Vacke.
Këtë të shtunë tifozët e Borusias shpresojnë që gjigandi i tyre i ri, Erlind Halandi, të shënojë golin apo golat dhe të fitojë ndeshjen, për t’i dhënë një goditje makthit me emrin “Bajern”. Me 18 gola në Bundesligë në 20 ndeshje, padyshim që sulmuesi norvegjez është më lart se Levandovski kur ishte në moshën e tij 20-vjeçare. Mediat gjermane shkruajnë se nëse Bajerni ka frikë ndokënd, ky duhet të jetë Halandi me shtatlartësi 1.94 metra. Parashikimi është që ai të shkojë tek Liverpuli (të paktën jo në Bavari), por përpara sesa ta bëjë të ndihmojë Dortmundin të largojë “ëndrrën e keqe”.
Sfidanti.al