Tifozët dhe Toni Krosi tallen me gafën e gazetares spanjolle!

Ai nuk ishte aspak pjesë e kësaj skuadre. Gjermania mbërriti në Katar një muaj e ca më parë, për të luajtur Kupën e Botës, duke pasur mjaft yje, por jo Toni Krosin, e gjithsesi ky detaj duket se i paska shpëtuar një gazetareje spanjolle. Kristina Kubero është një emër i njohur televiziv në Spanjë, e angazhuar në të përditshmen katalanase “El Mundo Deportivo” dhe në emisionin “El Çiringito de Hugones”, veçse ndjenjat e saj antimadrilene duket se shpesh shkojnë shumë larg. E rikthyer në emision pas 5 viteve, ajo u bë e famshme në rrjetet sociale pasi së fundmi deklaroi se Toni Kros ishtë një nga lojtarët më të këqinj të Botërorit.

Vetë Kros, që është lojtar i Realit, reagoi në Tuiter duke shkruar me tallje se “e dija se dikush do të më fajësonte për eliminimin e Gjermanisë”. Mesfushori 32-vjeçar luajti për herë të fundit në Kupën e Botës 4 vjet më parë në Rusi kur Gjermania u eliminua gjithashtu që në fazën e grupeve. Ai e mbylli me kombëtaren vitin e kaluar pas 106 ndeshjeve në 11 vjet, ndërsa vendosi të përqëndrohej plotësisht te karriera me Realin. Përsa i përket futbollistëve të Gjermanisë, ata vërtet u kthyen të dëshpëruar në kulm pas turpit në Katar, por gjithsesi patën një motiv për të qeshur nga kjo gafë e Kristinës.

Sfidanti.al