Në vitin 1964, shkrimtari i madh francez, Zhal-Pol Sartri, refuzoi Çmimin Nobel duke mos dashur të ishte i vlerësuar nga një komision, sado i rëndësishëm, por dëshironte të fitonte vetëm respektin e publikut si dhe të luftonte për bindjet e tij. Ndërsa, dy ministresha të qeverisë shqiptare dhe kreu (sërish) i KOKSH-it nxituan në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit për të pozuar në krah të kampiones sonë të Europës, Luiza Gegës, m’u kujtua historia e Sartrit. Për kushtet në të cilat stërvitet kampionia shqiptare do të ishte mirë që të vepronte si francezi i shquar dhe të mbante mbi vete vetëm respektin e njerëzve.
Le t’i “dërgojë në djall” ata që i japin paratë me vendime qeverise, sepse ia japin për arsye elektorale dhe do të vazhdojnë t’ia japin edhe nëse ajo nuk i përfill. Ky sistem e ka këtë pikë të dobët, që nëse je i dashur për popullin, qeveria nuk të prek dot. Kjo gjë ka ekzistuar që në kohën e luftërave të gladiatorëve në Romën e Lashtë. Luiza merr 80 milionë lekë të vjetra për sukseset këtë vit, Ballkan, Mesdhe, Botëror, Europian. Duket para e madhe, por sërish është pak për sakrificat dhe shpenzimet e saj dhe të trajnerit të saj, Taulant Stërmasi. Për më tepër, këto “tam-tame” nëpër zyra shtetërore dhe aeroporte, nuk mund të fshehin faktin se Tirana vetëm tani po bëhet (sërish) me pistë atletike, se Tirana nuk ka sallë të mbyllur atletike, se Korça ka një pistë atletike të pranueshme edhe pse të vjetër, dhe ka një tjetër të re, ku Luiza nuk stërvitet fare sepse është jashtë çdo standardi (kusuri i parave të korçarëve)!
Sfidanti.al