Tek Milani mendojnë se trajneri Pioli është një thesar

Në të vërtetë, këtë e shkruan “La Gazeta delo Sport”, por kjo media gjykon se kështu mendohet edhe në “Milanelo”. Stefano Pioli u desh të priste deri në moshën 56-vjeçare për të fituar titullin e parë në karrierë, diçka që e lë shumë larg emrave si Ferguson, Murinjo apo Guardiola, por gjithsesi ndoshta fakti që e ka arritur suksesin me kaq shumë vështirësi dhe vonesë, mund ta bëjë që të jetë këmbëngulës për të fituar kohën e humbur. Tek Milani e ndjejnë se trajneri i tyre, Pioli, nuk është aspak i ngopur me trofeun e Serisë A, ndërsa gjithçka e ka arritur falë punës së tij të madhe, e duke mos pasur yje të mëdhenj në ekip, duke përjashtuar një 40-vjeçar si Zllatan Ibrahimoviç. Shpresa është pra që të ketë suksese të tjera në të ardhmen, edhe pse Interi e Juventusi, por edhe Napoli do të përpiqen ta sfidojnë. Pra, Pioli mund të konsiderohet një “thesar” i Milanit, që fiton me kosto të ulët dhe që premton të vazhdojë të fitojë.

Sfidanti.al