Të kuqtë luajnë sonte në “Anfild” ndaj Totenhemit në një tjetër përballje emocionuese në kampionat, dhe mediat angleze nuk ngurrojnë të bëjnë një krahasim. Që nga finalja e Championsit mes dy ekipeve në 2019, Liverpuli ka shpenzuar 158 milionë paundë stërlina, ndërsa Spërsat plot 315 milionë, pra dyfishin, veçse rezultatet kanë qenë të kundërta. Nëse të kuqtë kanë ngjitur majat dhe janë në prag të fitores së 4 trofeve, londinezët ranë shumë dhe u desh Antonio Konte që t’i afronte në zonën Champions. Tek Liverpuli kanë ditur të bëjnë transferimet, kanë marrë Luis Diazin, Diogo Zhotanë, ndërsa kanë larguar 4 lojtarë (mes të cilëve Shaqirin) për të mbledhur 40 milionë paundë stërlina dhe me këto para u mor mbrojtësi i qendrës, Ibrahima Konate nga Lajpcigu. Kush nuk e mban mend se me paratë e Filip Kutinjos u morën Van Dajku dhe Alisoni, ndërsa të tillë si Salah apo Mane nuk ishin ndër yjet e botës kur erdhën në “Anfild”, po ashtu si Robertson apo Trent Aleksandër-Arnold. Klopi ka pasur në krah drejtorin sportiv, Majkëll Eduards dhe thuajse gjithmonë ia ka dalë.
Sfidanti.al