Prag, Partizani-Tirana, a do të jetë “e dyta, e vërteta” për titullin e bardhebluve?!

Prova e parë ndaj Teutës nuk doli me sukses. Tirana nuk u shpall dot kampione të martën e kaluar pas barazimit 1-1 në “Selman Stërmasi” me kampionët e sezonit të kaluar, ndërsa sot do të ketë provën e dytë. Në 18:45, bardheblutë do të luajnë derbin ndaj Partizanit, edhe pse do të jetë në Elbasan dhe jo në kryeqytet. Nëse skuadra e trajnerit Orges Shehi fiton, atëherë është e sigurt që fiton titullin.  Gjithsesi, bardheblutë kanë mungesa të mëdha, si Xhixhën e Najdovskin që janë të pezulluar, Gjumsi nuk luan ashtu si De Silva dhe Ngo që janë të dëmtuar.

Partizani, nga ana tjetër, ka shumë më pak probleme. Trajneri Dritan Mehmeti mund të llogarisë një skuadër të plotë, me përjashtim të Muratajt që nuk është stërvitur me ekipin. Po ashtu, dyshimi i vetëm është nëse në mesfushë do të luajë Matondo apo Herald Marku. Të kuqtë mbërrijnë në derbi me moral të mirë pas 2 fitoreve radhazi ndaj Dinamos e Kukësit, ndërsa nuk humbet që nga 19 marsi. Përfundimisht Tirana fiton titullin nëse fiton derbin, po ashtu nëse barazon dhe barazon gjithashtu edhe Laçi, si dhe nëse humbet, dhe nëse humbasin edhe kurbinasit.

Formacionet e mundshme

Partizani (4-3-3): Hoxha A.Marku Belica Bitri Hadroj Rrapaj Matondo (H. Marku) Mala Cara Skuka Zhunior

Tirana (4-3-3): Bekaj Toshevski Behiraçe Hoxhallari Përgjoni Toli Totre Limaj Seferi Hoti Ismajlgeci

Sfidanti.al