Tek Barça e bëjnë “me radhë”, kthehet Mesi, ikën Kutinjo

Nuk qenka e lehtë të menaxhohen situatat në një klub futbolli të nivelit të lartë. Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, duhet të gjejë zgjidhje në gjendje urgjence pas lajmit se Kutinjo është dëmtuar dhe se do të mungojë dy deri në tri javë. Braziliani i rëndësishëm nuk do të jetë këtë fundjavë ndaj Betisit në La Liga, ndërsa do të humbasë dy sfida të “Selesaos”, ato kundër Uruguajit dhe Kamerunit, që të dyja në Londër.

Pas rifillimit të kampionateve, Kutinjo pritet të jetë në dyshim për ndeshjen kryesore në La Liga, atë ndaj Atletikos së Madridit në 24 nëntor, si dhe për duelin e Championsit në Holandë me PSV Ajndhovenin në 28 nëntor.

Me shaka, mund të thuhet se tek Barcelona po e bëjnë me radhë. Mesi mungoi 2-3 javë dhe tani pritet të kthehet, ndërsa Kutinjo i lë “stafetën” argjentinasit.

Sfidanti.al