Italia ishte vetëm disa sekonda larg të përfunduarit si e treta në Grupin B aty ku bënin pjesë Spanja, Shqipëria dhe Kroacia. Por, një gol i Mattia Zaçagnit në limitet e ndeshjes, nderoi të besuarit e trajnerit Luciano Spalletti që e mbyllën grupin në vendin e dytë me katër pikë. Një arritje e rëndësishme sidomos nëse i hedhim një sy kundërshtarëve që do të gjejë Italia në rrugëtimin e saj deri finales së Berlinit, gjithnjë nëse ia del t’i shkojë Europianit deri në fund. Kështu, axurrët mund të konsiderohen me fat pasi nga krahu i tyre nuk janë emrat e kombëtareve favorite si Gjermania, Spanja, Portugalia dhe Franca. Të kaltrit mund të hasin Anglinë, ndërsa fillimisht duhet të kalojnë në raundin e 1/8-tave Zvicrën e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit. Asnjë kundërshtar në Euro 2024 nuk është për t’u nënvlerësuar, megjithatë është fakt që Italia ia ka dalë të shmangë disi konkurrencën më të ashpër.
sfidanti.al