Ka ndodhur në vitin e largët tashmë 1983, atëherë kur Europa dhe Skocia njihnin një ekip që kishte dalë nga “asgjëja”, si Aberdini. Në stolin e këtij Aberdini ishte një trajner që po bëhej i famshëm dhe që do të bëhej në trajnerin më fitues të botës, Sër Aleks Fergusoni, atëherë pa titull fisnikërie. Në 1983, Aberdini i Fergusonit fitoi 1-0 finalen e Kupës së Skocisë ndaj Gllazgou Rejnxhërist në “Hampden Park”, por trajneri skocez ishte tepër i acaruar me lojtarët e tij. “Ata ishin një fatkeqësi e vërtetë, – tha ai, në një intervistë direkte pas finales, – ne ishim ekipi më me fat në botë. Kupën e fituam vetëm nga (mbrojtësit) (Uilli) Miller dhe (Aleks) Meklish”. Kaq i zemëruar ishte Fergusoni saqë ai i “bëri për një lek” lojtarët në dhomën e zhveshjes, dhe pastaj nuk lejoi që gratë e tyre të ngjiteshin në autobus. Ato duhej të udhëtonin me një autobus tjetër. E gjitha kjo vetëm 3 ditë pasi Aberdini fitoi Kupën e Kupave të Europës me triumfin në finale ndaj Realit të Madridit.
Sfidanti.al