Taulant Xhaka mund të jetë optimist për të ardhmen e tij si futbollist. Lojtari i kombëtares shqiptare dhe i Bazelit, mund të transferohet shpejt në një klub më të madh. Mbrojtësi që mund të luajë edhe si mesfushor, është në qendër të vëmendjes së emrave të rëndësishëm të futbollit europian. Mediat raportojnë se Borusia e Dortmundit pëlqen ta ketë në radhët e veta, dhe po ashtu Shalke gjithashtu e Bundesligës, si dhe klubi i ligës spanjolle, Valencia.
Nuk dihet sesa mund të kushtojë kartoni i 25-vjeçarit shqiptar nga Kosova, veçse është e qartë se Dortmundi do të bënte çmos për të marrë një lojtar që do t’i jepte më shumë siguri mbrojtjes së saj, dhe do ta ndihmonte për t’u kthyer në pretendente për titull. Shalke, po ashtu do të ishte një alternativë shumë e mirë, aq më tepër që Bundesliga është një etapë e zakonshme e talenteve të Superligës zvicerane.
Sa për Valencian, kalimi në elitën e futbollit spanjoll, për Xhakën do të ishte kulmi i karrierës. Pjesëmarrës në fazën finale të Euro 2016-ës, Taulanti ka dalë katër herë kampion i Zvicrës me Bazelin, dhe ka luajtur më shumë se 200 ndeshje në të gjitha nivelet.