Superliga Europiane është “Bashkimi Europian” i futbollit, globalizmi nuk ndalet!

Kontinenti i vjetër është në prag të një tjetër revolucioni. Të mëdhenjtë e futbollit sapo lajmëruan krijimin e klubit të tyre ekskluziv, që pritet të dominojë Europën në dekadat që vijnë. Reali i Madridit, Barcelona, Atletiko e Madridit, Liverpuli, Mançester Junajtidi, Mançester Siti, Totenhemi, Çelsi, Arsenali, Juventusi, Milani dhe Interi janë themeluesit. Për momentin, Bajerni i Mynihut dhe Paris SG e kanë refuzuar pjesëmarrjen, por dera për ta është lënë hapur, ndërsa në deklaratë thuhet se 3 klube do të bashkohen shpejt.

Synimi është që të ketë 20 ekipe, me ndeshjet që do të luhen në mesjavë, dhe me skuadrat që do të luajnë edhe më tej në ligat e tyre kombëtare. Të ardhurat parashikohen në 10 miliardë euro në sezon, dhe presidenti i Superligës Europiane, njëkohësisht kreu i Realit, Florentino Perez, ka premtuar ndihmë për klubet më të vegjël. Zv. presidentë do të jenë Andrea Anjeli i Juventusit dhe Xhoel Glejzër i Mançester Junajtidit. Superliga do t’i zerë vendin Ligës së Kampionëve në një hap tjetër të madh ndryshimi.

UEFA ka kërcënuar përjashtimin për rebelët, ndërsa është gati të propozojë një ndryshim të formatit të Championsit. Presidenti i FIFA-s, Infantino, gjithashtu i ka paralajmëruar klubet për pasoja në rast të krijimit të Superligës. Edhe krerët e ligave të mëdha në Angli, Gjermani, Itali, Spanjë e Francë kanë deklaruar se do të nisin gjyqet, por përfundimi ndoshta është i paracaktuar.

Ky nuk është gjë tjetër përveçse Bashkimi Europian i Futbollit, i njëjti shteg i ndjekur nga udhëheqësit politikë të kontinentit, si zëdhënës të ekonomisë dhe interesit. Që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot, Europa ka ndryshuar aq shumë sa nuk mund të njihet nga ata që kanë jetuar atëherë. Aq e fortë është kjo forcë centrifugale saqë baza e Superligës janë 6 klubet anglezë, që janë gati tyë largohen nga kampionati më fitimprurës në botë, Premier Liga, që krijon 2.1 miliardë paundë stërlina në vit.

Bosët e klubeve anglezë, të nxitur nga pronarë amerikanë si Glejzër, Morgan apo Henri, janë madje kundër Breksitit, rrugës që ndoqi shteti britanik pas referendumit të 4 viteve më parë kur vendosi të dilte nga Bashkimi Europian. Gjithsesi, duhet të rikujtojmë se revolucionin e nisi në vitet 40-të e 50-të një figurë sot thuajse e harruar, Gabriel Ano, gazetari francez në “L’Ekip”, që propozoi krijimin e Kupës së Kampionëve, dhe forcimin e profesionizmit në futboll. i cilësuar si “i ashpër” dhe “i ftohtë”, ai u kritikua shumë nga njerëzit e traditës, por Kupa e Kampionëve u krijua. Jo më kot, nxitësi kryesor atëherë ishte presidenti i Realit, Santiago Bernabeu, ashtu siç është sot një tjetër president i Realit, Perezi.

Akuzat nga analistët dhe tifozët janë se elitat e futbollit po mendojnë vetëm për fitimin, ndoshta duke harruar se biznesi dhe fitimi krijuan liritë e para në Europë në shekullin e 19-të, qoftë edhe jo për të gjithë, duke sfiduar autoritetin e shtetit. Po, është fitimi në themel të Superligës së re. Dhjetë miliardë euro në vit janë shumë më tepër sesa jep sot Championsi, që arrin deri në 3 miliardë, dhe ishte po fitimi që varrosi Kupën e Kampionëve në 1991, pas finales së fituar nga Crvena Zvezda e Beogradit ndaj Olimpikut të Marsejës.

Me Championsin të vegjlit si Zvezda apo Steaua nuk mund të uleshin në tryezën e të mëdhenjve.  As nuk do të kishte përballje si Dinamo e Tiranës-Olimpik Marsejë në1990 apo 17 Nëntori-Ajaks në 1970. Sot puna ka arritur deri aty sa gjigandët e futbollit nuk duan as skuadrat nga ligat e tyre. Iu pëlqen apo jo njerëzve, biznesi do të vazhdojë rrugën e tij, derisa në Europën e Bashkuar të harrohet varfëria e dikurshme që është në themel të lakmisë, dhe njerëzit të çlirohen nga çmenduria për yjet, dhe të kënaqen duke luajtur vetë futboll.

Sfidanti.al