Tashmë duhet të bëjë gati valixhet. Zhoze Murinjo nuk është më trajner i Totenhemit, dhe presidenti Daniel Levi e mori vendimin që kushton jo pak, por që e gjykon si të domosdoshëm për të mirën e ekipit të tij. Portugezi humbi besimin e klubit pas disfatave në Premier Ligë, dhe pas eleminimit nga Liga e Europës, duke mos justifikuar shpresat e mëdha që drejtuesit dhe tifozët kishin në aftësitë e tij. Pas humbjes me Mançester Junajtidin në shtëpi dhe barazimit në fushën e Evertonit, Spërsat janë në vendin e 7-të në kampionat, 5 pikë larg zonës Champions kur duhen edhe 6 ndeshje deri në fund, pra me shpresa të pakta për të qenë sezonin tjetër në garën-elitë të klubeve.
Po ashtu, Totenhemi u turpërua nga eleminimi i bujshëm që pësoi nga Dinamo e Zagrebit, një klub që ka buxhet 10 herë më të vogël. Murinjon nuk e ndihmuan as deklaratat e tij pas rezultateve negative, kur shpesh ua hodhi fajin futbollistëve, duke u shprehur se “në krahasim me të kaluarën mund të them se trajneri është i njëjti, ndërsa lojtarët janë të ndryshëm”. Shkarkimi i tij vjen vetëm 17 muaj pasi mori detyrën në klubin londinez.
Gjithsesi, Murinjo është një mjeshtër i fitimit pasi vetëm nga shkarkimet ka fituar nga 80 deri në 90 milionë paundë stërlina, diçka që nuk ka mundur ta bëjë asnjë trajner tjetër në historinë e futbollit. Një fitues i vërtetë, ai ka 25 trofe në karrierë me Porton, Çelsin, Interin, Realin e Madridit dhe Mançester Junajtidin, ndonëse për herë të fundit ia doli katër vjet më parë në Ligën e Europës. Me gjasë, në moshën 58-vjeçare ai është ezauruar nga ana nervore pas një karriere prej gati 20 vjetësh, dhe nofka që i vuri vetes, “I Veçanti”, sikur nuk i shkon më kohët e fundit.
Sfidanti.al