Poçetino e Mbape: Titulli kampion është shumë i rëndësishëm!

Mendimi “fiks” është tek Championsi, por Europa nuk të jep asgjë të sigurt, ndaj gjëja që mund të llogaritet më mirë është titulli kampion në Francë. Paris SG nuk dëshiron të dështojë siç bëri disa vjet më parë ndaj Monakos (pikërisht të Mbapesë), ndaj edhe i është vënë pas Lilës “me bukë në trastë” siç thotë shprehja popullore e Jugut. Gjithsesi, fitorja 3-2 ndaj Sent Etienit nuk jep ende asnjë garanci sepse Lila është 1 pikë përpara. “Nuk e di nëse është fitore për titullin, – tha trajneri Poçetino, – por, është fitorja e një ekipi që nuk u dorëzua deri në fund. Janë 3 pikë shumë të rëndësishme që të mbetemi në garë. A jam optimist për titullin? Gjithmonë jemi të tillë, pasi besimi në futboll është tepër i rëndësishëm. Fitorja na jep energji për atë që na pret deri në fund dhe që do të jetë tepër e vështirë”.

Kilian Mbape theksoi se “kampionati është shumë i rëndësishëm për t’u fituar, madje është objektivi kryesor”. “Njerëzit mendojnë se është e lehtë për ta fituar, – vazhdoi kampioni i botës, – por, nuk është kështu. Këtë vit është më e vështirë. Ne mund t’ia dalim vetëm po qe se fitojmë gjithë ndeshjet. Ndaj Sent Etienit e patëm vetë fajin pasi shpërdoruam shumë”.

Sfidanti.al