Ndodhi fillimisht me derbin që për të disatën herë lë pas re të forta dyshimi por më pas u konfirmuar edhe gjetkë në Rrogozhinë dhe të gjithë ishin të vetëdijshëm për këtë…përveç njerëzve të politikës së futbollit. Gjatë fazës së fundit, loja po zhvendoset në tregun e “gjësë së gjallë” ku kush prezantohet me ofertën më të madhe do të përfitojë edhe mallin që në këtë rast janë 3 pikët e mbijetesës.
Një shfaqje e shëmtuar që dokumenton për të panumërtën herë atentatin që po i bëjmë futbollit në këtë vend. Zërat janë të fortë e të qartë e madje ka nga ata që kërkojnë me ngulm rikthimin e skemës së vjetër me 14 apo 16 skuadra, por vallë a është ky problem i vërtetë? A do të ndryshojë struktura morale e aktorëve të futbollit nëse shtojmë apo heqim skuadra nga Superiorja? Një teatër i shëmtuar ku automati ulet për një skuadër dhe ngrihet për tjetrën, ndërsa njerëzit në stadium dhe ekran bëjnë paqe me anomalinë duke e trajtuar si normale në një vend ku futbollit i kanë nxjerrë themelet.
Pirro Bardhyli

