Struga e Shpëtim Duros, kampione e Maqedonisë së Veriut!

Një teknik i shkollës sonë ia kishte dalë më parë, dhe tani kjo gjë u përsërit. Shpëtim Duro udhëhoqi Strugën drejt titullit kampion në Maqedoninë e Veriut, duke siguruar trofeun dy javë para fundit të kampionatit. Trajneri i njohur tiranas, që ka fituar titullin në Shqipëri me Skënderbeun, si dhe ka punuar me Partizanin, Flamurtarin, Laçin apo edhe Shkëndinë e Tetovës, realizoi atë që Ernest Gjoka e kishte bërë pikërisht me Shkëndinë. Suksesi u arrit pas fitores 3-0 në një derbi ndaj Sileksit, në një ndeshje që nuk pati histori.

Golat për kampionët e rinj i shënuan Besart Ibraimi në pjesën e parë, dhe dy herë Shabani pas pushimit. Struga ka 62 pikë në krye të renditjes së Ligës së Parë maqedonase, duke qenë e paarritshme nga FC Shkupi që mban vendin e dytë me 55 pikë, ndërsa në vend të tretë është një tjetër skuadër shqiptarësh e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës. Sfida e radhës e sezonit do të luhet në fushën e Shkëndisë, në stadiumin “Ekolog” në 10 maj.

Sfidanti.al